Qarku Korçë/Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 4 të tjerë, për vepra penale të ndryshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin turk Y. D., 56 vjeç, banues në Izmir, pasi në hyrje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit në vijë të dytë, të kryer nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në automjetin që drejtonte ky shtetas, u gjetën 50 fishekë luftarak që posedoheshin pa leje. Fishekët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 48 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje, duke e kanosur me një thikë që iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasen A. L., 36 vjeçe, banuese në fshatin Plasë, Maliq, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet, me të cilin duke qenë në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, ka përplasur 2 automjete të tjera dhe ka shkaktuar vetëm dëme materiale.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
Gj. P., 45 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, shtetasin E. S.
O. K., 47 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 18, në magazinën ku ky shtetas tregton lëndë të parë për mobilje, dyshohet se djeg mbetje të artikujve që shet, duke sjellë ndotje të ajrit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. O., 31 vjeç, banues në fshatin Hoçisht, Devoll, pasi në fshat, dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur një 28-vjeçar, me mjet të mprehtë (thikë) i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. Z., 37 vjeç, banues në Ersekë, pasi në afërsi të fshatit Borovë, Kolonjë, është konstatuar duke transportuar me një automjet tip “Benz”, një sasi drush zjarri, të llojit lis, pa dokumentacionin përkatës, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës mareriale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.