Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
Vihet në pranga 1 shtetas me precedent të theksuar kriminal. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, në vijim të operacionit “Muzgu”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë të shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, në bazë të informacioneve policore, kanë goditur një tjetër rast, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. D., 40 vjeç, banues në Durrës (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim).
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në aksin nacional Kakavijë-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, është kapur në flagrancë duke transportuar me një automjet “Volkswagen” që e drejtonte pa leje drejtimi, 3 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 300 euro për person.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi S. Z., 23 vjeç, banues në Durrës, i cili nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit S. D. i është gjetur një mjet i mprehtë (thikë).
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një aparat celular dhe mjeti i mprehë (thikë).
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.