Qafë Thanë, Pogradec
Kontrolle intensive nga Policia Kufitare për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për kapjen e personave në kërkim.
Kapet në hyrje të PKK Qafë Thanë një 61-vjeçar i akuzuar nga GjKKO, për kontrabandë mallrash, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kanë intensifikuar kontrollet në pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë është kapur shtetasi N. G. 61 vjeç, banues në Librazhd.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabandë me mallrat që paguhet akcizë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Grupit i strukturuar kriminal”.
61-vjeçari iu dorëzua Sektorit për Krimet Ekonomike dhe Financiare në DPPSh, për veprime të mëtejshme.