Port Vlorë/Tentoi të hynte në Shqipëri, me 45 600 euro të padeklaruara, procedohet penalisht 43-vjeçari

Port Vlorë

Kontrolle të shtuara nga shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Tentoi të hynte në territorin e Republikës së Shqipërisë, me 45 600 euro të padeklaruara, procedohet penalisht 43-vjeçari.

Sekuestrohet shuma e parave.

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të vendit, me objektiv parandalimin dhe konstatimin e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet doganore, kanë goditur një rast të mosdeklarimit në pikën e kalimit kufitar, të një shume të konsiderueshme parash.

Për këtë rast, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. R., 43 vjeç, pasi gjatë kontrollit në vijën e dytë, në automjetin e tij tip furgon, u gjetën 45 600 euro që ai synonte t’i fuste në territorin e Republikës së Shqipërisë, pa i deklaruar konform ligjit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.