Port Durrës
Parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, drejt Anglisë.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kamuflimi”.
Operacioni, nga Policia Kufitare e portit Durrës, strukturat hetimore të DVP Durrës dhe Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet doganore të portit Durrës.
Transportonte mallra të ndryshme drejt Anglisë dhe brenda një tavoline kishte fshehur 8 armë zjarri, vihet në pranga drejtuesi i automjetit (furgon).
Sekuestrohen 8 armë zjarri (pistoleta), krehra me municion luftarak, aksesorë armësh, 2 aparate celulare dhe një shumë parash.
Në vazhdën e goditjeve të njëpasnjëshme nga strukturat e Policisë së Shtetit, të rasteve të tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, të futjes kontrabandë të naftës e mallrave të tjera për të cilat paguhet akcizë, të rasteve të futjes në mënyrë të kundërligjshme të shumave të parave të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe të atyre të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit, pasditen e djeshme, strukturat e Policisë së Shtetit, bazuar në inteligjencën informative, se në një furgon që tranportonte mallra drejt Anglisë mund të ishin futur armë zjarri, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm, në bashkëpunim me autoritetet doganore.
Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore për gjetjen e armëve të zjarrit dhe municionit, u bë e mundur që brenda një tavoline të gjendeshin 8 armë zjarri (pistoleta), krehra me municion luftarak dhe aksesorë të ndryshëm armësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare dhe një shumë parash.
Në vijim të veprimeve, drejtuesi i furgonit që transportonte mallrat, shtetasi J. K., 35 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.
Strukturat hetimore të DVP Durrës dhe ato të Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me SPAK-un, po vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për zbardhjen e plotë të këtij rasti të trafikimit të armëve të zjarrit drejt Anglisë, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.