Respekto rregullat, shpëto jetë!
Policia Rrugore prej orës 15:00, dhe deri në këto momente ka rritur prezencen në akset rrugore në hyrje të Tiranës, Elbasanit, Durrësit dhe në Rrugën e Kombit pasi ka filluar kthimi i qytetarëve nga zonat bregdetare dhe turistike drejt Tiranës dhe Morinës.
Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore të Tiranës, dhe 11 Sektorët e Policisë Rrugore në DVP-të po monitorojnë fluksin me dron e radarë dhe alkooltestues për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që kryejnë parakalime të gabuara, që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejura, që drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Prej orës 15:00 janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 411 drejtues mjetesh, nga të cilët: 75 për shpejtësi tej normave të lejura dhe 336 drejtues mjetesh që kryenin parakalime të gabuara apo sjellje agresive në rrugë.
Nga monitorimi me radar e dragera, Policia Rrugore në të githë vendin gjatë orëve të mbasdites së sotme ka pezulluar 29 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 15 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin alkoolit.
Nga shërbimet e Policisë Rrugore të Elbasanit është vënë në pranga shtetasi P.M, pasi duke udhëtuar nga Librazhdi në drejtim të Elbasanit me automjet në vendin e quajtur Labinot-Fushë u konstatua nga shërbimet e Policisë Rrugore në gjendje të dehur në masën 1.05 mg/l.
Deri në këto momente ka fluks të shtuar por nuk ka bllokim të trafikut në asnjë aks rrugor dhe as në hyrje të Tiranës.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ruajnë largësinë e sigurisë ndërmjet mjeteve për shkak të trafikut të rënduar, gjithashtu KUJDES, me parakalimet e gabuara, kufizoni shpejtësinë e lëvizjes sipas sinjalizimit rrugor, mos drejtoni mjetet pas përdorimit të pijeve alkoolike, pasi shërbimet e policisë rrugore janë duke monitoruar sjelljen tuaj në rrugë.