Kontrollet janë përqendruar në evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që bëhen pengesë duke bllokuar lëvizjen normale të automjeteve apo të këmbësorëve, të atyre që drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit, në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi.
Gjatë kontrolleve është goditur dhe një rast i mitëdhënies. Është vënë në pranga drejtuesi i motomjetit, i cili tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e masës administrative.
Shërbimet e Policisë Rrugore Sarandë, në vijim të kontrolleve në akse të ndryshme rrugore, arrestuan në flagrancë shtetasin Th. K., 40 vjeç, banues në fshatin Dhivër, Finiq, pasi është kapur në aksin rrugor Sarandë-Vrion, duke drejtuar një motomjet pa targa, pa vendosur kaskën mbrojtëse. Për të shmangur masën administrative, 40-vjeçari ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke u ofruar atyre një shumë parash.
Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve, duke përdorur radarë, dronë, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, të cilët kanë denoncuar në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, shkeljet e konstatuara, nga shërbimet e Policisë janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Janë pezulluar 13 leje drejtimi, nga të cilat 5 për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe 8 për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Janë vendosur gjithsej 916 masa administrative, nga të cilat:
– 5 masa për tejkalim shpejtësie;
– 82 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
– 88 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
– 10 masa për përdorimin e aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit;
– 85 masa për parakalime të gabuara;
– 173 masa për ndalim/pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore dhe rregullat e qarkullimit;
– 6 masa për mungesë të siguracionit të mjetit;
– 467 masa për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore e Vlorës apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikat vertikale e horizontale, të shmangin përdorimin e alkoolit dhe celularit gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit, ndërsa drejtuesit e motomjetve të vendosin kaskën mbrojtëse dhe të moderojnë shpejtësinë.