Drejtuesi i automjetit, 31-vjeçari A. S., ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë Rrugore dhe ka tentuar të largohet, por është vënë në pranga.
Ky është rasti i tretë, brenda dy javëve, gjatë të cilit Policia Rrugore e Tiranës arreston në flagrancë drejtues mjetesh që përdorin mjetet nën efektin e lëndëve narkotike.
Menjëherë pas publikimit në rrjetet sociale të një video-je, në të cilën një automjet qarkullonte me shpejtësi duke shkelur semaforin, në bulevardin “Bajram Curri”, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, kanë evidentuar dhe ndaluar automjetin.
Në momentin e ndalimit drejtuesi i automjetit tip “Audi”, shtetasi A. S., është konstatuar se drejtonte automjetin pa vendosur rripin e sigurimit.
Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. S., ka refuzuar t’ia paraqesë dokumentacionin e kërkuar oficerit të Policisë, si dhe ka kundërshtuar, me dhunë shoqërimin në organet e Policisë, duke manifestuar sjellje agresive dhe të dhunshme në raport me kërkesat ligjore te punonjësve të Policisë Rrugore.
Ky shtetas ka kundërshtuar efektivët e Policisë, edhe për të bërë testin e alkoolit.
Në këto kushte është neutralizuar drejtuesi i mjetit dhe pas shoqërimit të tij, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ai është testuar me aparatin drogë-testues dhe ka rezultuar se e drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Gjithashtu, këtij shtetasi iu pezullua leja e drejtimit për 24 muaj, iu zbritën 15 pikë nga leja e drejtimit dhe iu vendos masa administrative 89.000 lekë të rinj, për shkeljen e nenit 185 “Drejtimi i mjetit nën efektin e lëndëve droguese”, të parashikuar nga Kodi Rrugor. Kjo shkelje u provua pas matjes me aparatin drogë-testues, të markës “AquilaScan”.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.