Policia Rrugore e Tiranës – Kontrolle për evidentimin e ndëshkimin e shkeljeve që janë rrezik në rrugë

Policia Rrugore e Tiranës gjatë javës që lamë pas, organizoi shërbimet, duke u përqëndruar në evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve që janë rrezik potencial për sigurinë e jetës në rrugë.

Në këtë kuadër, përgjatë një jave u arrestuan dhe u proceduan penalisht 32 persona, për shkelje të ndryshme të kryera.

Janë ndëshkuar me masë administrative 1174 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit. 496 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit.

Për parakalime të gabuara, manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi mbi normën e lejuar dhe shkelje të tjera, të ndryshme janë ndëshkuar 1666 drejtues mjetesh. Janë pezulluar 113 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe për shpejtësi tej normave të lejuara.

Janë vendosur 618 masa administrative, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve. Janë hequr 2 palë targa të çregjistruara apo që u kishte përfunduar afati i përdorimit në shtetin e origjinës.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.