Policia Rrugore e Tiranës/Kontrolle intensive, me grupe kontrolli të përqendruara dhe të dedikuara

Policia Rrugore e Tiranës/Kontrolle intensive, me grupe kontrolli të përqendruara dhe të dedikuara, për shkelje që janë rrezik potecial për jetën e këmbësorëve dhe të drejtuesve të automjeteve.

Janë goditur dy raste të tentativës për mitëdhënie, një rast i falsifikimit të dokumentacionit për xhamat e errësuar dhe 85 raste të përdorimit të targave të huaja të çregjistruara apo që u kishte përfunduar afati i përdorimit.

Janë proceduar penalisht për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasit O. Gj., 37 vjeç dhe L. S., 40 vjeç, të cilët janë kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të mjeteve të tyre, dhe në tentativë për të shmangur masën administrative, kanë tentuar të korruptojnë grupet e kontrollit, duke iu ofruar para.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve parandaluese, te Sheshi “Nënë Tereza”, efektivët e Task Forcës së Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, kanë konstatuar automjetin me xhama anësore të errësuara, që drejtohej nga shtetasi K. D. Gjatë kryerjes së veprimeve policore dhe gjatë verifikimit të dokumentacionit të errësimit të xhamave, rezultoi që ky dokument ishte i falsifikuar. Drejtuesi i mjetit, shtetasi K. D. u procedua penalisht për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në kuadër të kontrolleve të dedikuara për përdorimin në mënyrë abuzive të targave të shteteve te tjera, të cilat rezultojnë të çregjistruara nga shtetet që i kanë lëshuar, shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, prej disa ditësh, po verifikojnë të gjitha mjetet me targa të huaja, për vlefshmërinë e tyre. Në bazë të kontrolleve me fokus problematikën e përdorimit të targave të pavlefshme ose që nuk u përkasin mjeteve në të cilat janë vendosur, janë sekuestruar 3 automjete dhe janë tërhequr nga qarkullimi, 85 targa që u ka përfunduar vlefshmëria.

Policia Rrugore e Tiranës do të vijojë kontrollet e dedikuara, për të bërë të mundur parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e qarkullimit rrugor, duke rritur në maksimum parametrat e sigurisë rrugore dhe duke lehtësuar qarkullimin e automjeteve në kryeqytet.