Policia Rrugore e Dibrës intensifikon masat për parandalimin e aksidenteve rrugore

Policia Rrugore e Dibrës intensifikon masat për parandalimin e aksidenteve rrugore, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave, i hartuar menjëherë pas analizës 3-mujore e zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, gjatë së cilës u lanë detyra për rritjen e forcës parandaluese dhe ndëshkuese nga ana e Policisë Rrugore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ushtruar kontrolle në qytet dhe në rrugët nacionale, të përqendruara kryesisht në drejtim të evidentimit dhe ndëshkimit të shkeljeve që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, si dhe të evidentimit dhe ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve, që tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative.

Në këtë kuadër, Patrulla e Policisë Rrugore ka ndaluar për verifikim automjetin tip ‘Benz’, me drejtues shtetasin G. M., i cili për të shmangur kontrollin i ka ofruar punonjësit të policisë 2000 lekë. Pas verifikimit rezultoi se shtetasi G. M., nuk ishte i pajisur me leje drejtimi.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore shtetasi G. M.,22 vjeç, është arrestuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Po në zbatim të planit të masave, nga Policia Rrugore e Dibrës gjatë 24 orëve të fundit janë vendosur 61 masa administrative :
✅ 9 administrative masa për mos përdorim të rripit të sigurimit.
✅ 12 masa për parakalim të gabuar.
✅ 11 masa për shkelje të sinjalistikës rrugore.
✅ 2 masa për drejtim mjeti nën efektin alkoolit
✅ 2 masa për paisje shtesë ( drita vezulluese ) dhe pezullim i lejes së drejtimit.
✅ 10 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve.
✅ 2 masa për xhama të riveshur .
✅ 13 masa për pushime e qendrime të gabuara.

Policia Rrugore e Dibrës falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon për të gjithë shkelësit që këto rregulla t’i zbatojnë me rigorozitet, pasi do të përballen me forcën e ligjit.