Policia e Shtetit/Vijojnë kontrollet në të gjitha akset rrugore

Kontrolle intensive nga Policia Rrugore, me radarë📸📟📹, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, në të gjitha rrugët e vendit, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Si rezultat i kontrolleve të kombinuara nga Policia Rrugore, Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”, përgjatë fundjavës janë arrestuar në flagrancë 33 drejtues mjetesh, nga të cilët 18 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 15 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 176 leje drejtimi, nga këto 111 për shpejtësi tej normave të lejuara, deri në 214 km/h në Bypass-in e Fierit, 60 për drejtim mjeti në efektin e alkoolit dhe 5 për qarkullim në sens të kundërt.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 4123 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.

Nga Policia Rrugore e Tiranës është goditur një rast i mitëdhënies. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë arrestuar në flagrancë një shtetas, i cili pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, pa vendosur rripin e sigurisë, i ka ofruar një shumë parash shërbimeve policore, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer.

Ndërkohë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e automjeteve që transportojnë shtetas të huaj, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, nga Njësia për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë është kapur në flagrancë një drejtues mjeti që transportonte disa shtetas të huaj, emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, me destinacion final një nga vendet e BE-së.

Policia e Shtetit, nisur dhe nga fakti se ka akoma fluks të shtuar në akset rrugore në drejtim të zonave bregdetare dhe në kthim, sidomos në drejtim të Tiranës dhe Morinës, apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve, vendas dhe të huaj, që të zbatojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore, pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional.

#MosUbejStatistikë📉
#RregullKujdesDurimDestinacion
#NeJemiAtyPërSigurinëTuaj🚔