Policia e Shtetit – Policia Kufitare dhe FNSH u vijnë në ndihmë pushuesve dhe turistëve, duke ndërhyrë në 3 raste të vështira

Falë ndërhyrjes së shpejtë nga Policia Kufitare dhe FNSH, u është dhënë ndihma e parë 5 shtetasve nga Shkodra dhe Kosova të cilët rrezikonin të mbyteshin në grykëderdhjen e Vilunit në lagunën e Rrjollit.

Të pestë personat u transportuan për në qëndrën spitalore, dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Po në të njëjtin vend iu dha ndihma edhe 9 shtetasve çekë, të cilët kishin ngelur të izoluar, dhe në momentin që donin të kalonin grykëderdhjen e Vilunit, jeta e tyre u vu në rrezik. Falë ndërhyrjes së Policisë të 9 shtetasit kanë dalë në breg pa asnjë problem për jetën.

Njëkohësisht edhe në Sarandë, Policia Kufitare ka shpëtuar një plazhist, i cili rrezikonte të mbytej si pasojë e dallgëve të detit.

Policia e Shtetit, u bën thirrje të gjithë pushuesve të tregojnë kujdes maksimal pasi deti aktualisht është i trazuar dhe me dallgë të mëdha.

Policia e Shtetit sugjeron pushuesit dhe turistët që të shmangin lëvizjet me mjete lundrimi, si motorë uji apo varka, deri në qetësimin e detit.

Policia Kufitare ka rritur patrullimin me mjetet e saj lundruese në det, dhe është angazhuar maksimalisht për t’i ardhur në ndihmë çdo pushuesi që i rrezikohet jeta.

Në ndihmë të Policisë Kufitare janë angazhuar edhe shërbimet e Policive Vendore si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me patrullim tokësor

Për çdo rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do jenë menjëherë në ndihmën tuaj.