Policia e Shtetit, pjesëmarrëse aktive në operacionin SEE JAD, bashkë me 25 shtete të tjera

Policia e Shtetit, pjesëmarrëse aktive në operacionin SEE JAD, bashkë me 25 shtete të tjera.

Ky operacion u zhvillua gjatë një jave, me mbështetjen e Eruropol-it, Eurojust-it, Frontex-it, Agjencisë Europiane të Rojës Kufitare, selisë së Interpolit dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese ndërkombëtare.

Operacioni pati synim parandalimin dhe evidentimin e rasteve të trafikimit të armëve të zjarrit, trafikimit të drogës, trafikimit të emigrantëve/qenieve njerëzore dhe goditjen e rrjeteve kriminale me rrezik të lartë.

Policia e Shtetit ka shkëmbyer informacion në kohë reale me policitë e shteteve të tjera dhe ka verifikuar të gjitha informacionet e dhëna nga këto shtete, për këto veprimtari kriminale, në pikat kufitare dhe brenda territorit shqiptar.

Në Shqipëri, operacioni u drejtua nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin për Policinë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë të Shtetit dhe e koordinua nga Drejtoria e Europol-it.

Në këtë operacion janë angazhuar në total 315 punonjës policie, nga ky sektor, nga Policia Kufitare dhe nga struktura të tjera të Policisë së Shtetit, në të gjithë vendin.

Në Shqipëri, gjatë operacionit janë kontrolluar 2648 subjekte, 1525 shtetas, 987 mjete, 40 pako postare dhe 92 ambiente; janë evidentuar 50 hyrje të paligjshme në kufi dhe janë sekuestruar dokumente të falsifikuara;

Janë arrestuar 28 shtetas dhe janë sekuestruar 6 armë zjarri, municion luftarak dhe 81 kg cannabis sattiva dhe qindra doza kokainë .

Gjatë zhvillimit të operacionit SEE JAD në nivel global janë angazhuar 22 488 punonjës, janë kontrolluar 288 774 subjekte, 215 273 shtetas, 67 277 mjete, 5 225 pako postare dhe 999 ambiente; janë evidentuar 2 229 hyrje të paligjshme dhe janë sekuetruar 114 dokumente të falsifikuara; janë arrestuar 566 shtetas (218 për trafikimin e personave, 186 për trafikimin e drogës, 69 për trafikimin e armëve, 89 për krime të tjera); janë sekuestruar 310 armë zjarri, municion luftarak dhe rreth 1 ton drogë (626 kg kokainë, gati 300 kg cannabis, heroinë dhe bimë marijuane).

Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht në këtë operacion duke qenë pjesë e Qendrës Ndërkombëtare të Komandimit SEE JAD, e ngritur në Maqedoninë e Veriut, nga ku pika jonë e kontaktit operacional koordinoi drejtpërsëdrejti brenda vendit tonë këtë operacion, me të gjitha shtetet e tjera pjesëmarrëse. Policia e Shtetit ka rritur kështu nivelin e bashkëpunimit me policitë e shteteve të tjera dhe rezultatet e këtij operacioni.