Policia e Shtetit
Pezullohet nga detyra një oficer policie i përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit, në qytetin e Vlorës
Pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka pezulluar menjëherë nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, oficerin e Policisë Kufitare Dibër.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, ecurinë disiplinore të rëndë, mbështetur në Ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, ku parashikohen masa për:
•raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës;
•kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar A. I., jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, ata janë përfshirë në konflikt edhe me shtetasit V. B., pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M.,.
Nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.
Për këtë rast, vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Policia e Shtetit i bën thirrje çdo qytetari të denoncojë çdo sjellje të pahijshme apo çdo veprim të paligjshëm nga ana e punonjësve të saj.