Përfundoi pa probleme dorëzimi i të gjitha objekteve të marra në ruajtje nga Policia, objekte që do të shërbejnë si qendra votimi.
Shërbimet e Policisë, gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e qendrave të votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem.

Dorëzimi i qendrave të votimit, nga shërbimet e Policisë, ka filluar që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, sipas të gjitha kërkesave ligjore, me procesverbalet përkatëse të komisionit të qendrave të votimit.
Punonjësit e Policisë janë grumbulluar në ambientet e përcaktuara për ta, për ditën e sotme.

Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në të gjithë vendin me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt, në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor.