Policia e Shtetit – Operacione të njëpasnjëshme kapjeje dhe ekstradimi po kryhen në kuadër të operacionit policor të posaçëm, të koduar “Para drejtësisë”

I akuzuar nga SPAK, për sigurim të kushteve/mjeteve për të kryer vrasje dhe për pastrim të parave nga veprimtari kriminale, ekstradohet nga Kosova, 50-vjeçari.

Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit të kërkuar ndërkombëtarisht, A. L., 50 vjeç.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar 50-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. L. ka siguruar kushte/mjete, me qëllim vrasjen e shtetasit N. M., për llogari të shtetasit F. G. alias F. C.. Gjithashtu, dyshohet se për llogari të të njëjtit shtetas, 50-vjeçari ka pastruar para që kanë patur burim veprimtari kriminale.


Në vitin 2019, kishte siguruar 12 kilogramë heroinë dhe kokainë, me qëllim shitjen në Durrës, arrestohet në Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 31-vjeçari.

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve, në kohë reale, me partnerët e Interpol Romës, u mundësua kapja dhe arrestimi në Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit V. B., 31 vjeç, i lindur në Durrës.

Gjykata e Durrësit, në vitin 2021, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë periudhës hetimore ka rezultuar se në vitin 2019, shtetasi V. B. kishte siguruar 7 kg lëndë narkotike heroinë dhe 5 kg lëndë narkotike kokainë, me qëllim shitjen në Durrës.

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Romën, me qëllim finalizimin e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.


Pjesëtar i një grupi kriminal, i cili në prill të këtij viti, tentoi të trafikonte nëpërmjet portit të Durrësit, në Britani të Madhe, 7 pistoleta dhe municion luftarak, kapet në Kolumbi, 25-vjeçari.

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve, në kohë reale, me partnerët e Interpol Bogota, Kolumbi, u mundësua kapja dhe arrestimi në Kolumbi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit A. T., 25 vjeç, i lindur në Tropojë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 30.07.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Më datë 10.04.2023, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në portin e Durrësit, një arsenal armësh të fshehur në një furgon (7 pistoleta, një sasi të madhe municioni luftarak dhe aksesorë për armë), që dyshohet se do të trafikohej në Britani të Madhe, nga grupi kriminal ku bënte pjesë shtetasi A. T..

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Bogotën, me qëllim finalizimin e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.