Policia e Shtetit
Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit po vijojnë intensivisht veprimet hetimore dhe operacionale, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive që zhvillohen online, duke përfituar shuma parash nga qytetarët.
Në këtë kuadër, ju informojmë se Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, bazuar në informacionet e mbledhura, ka nisur një hetim penal, lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online, dhe vijon puna intensive për dokumentimin ligjor.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin aplikimet ose përfshirjen në platforma të tilla, të cilat premtojnë fitime të menjëhershme dhe jo të verifikuara.
Për çdo dyshim apo informacion që mund të ndihmojë hetimin, ju inkurajojmë të kontaktoni menjëherë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, konkretisht ato të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSH, si dhe të sektorëve përkatës në çdo DVP.