Policia e Shtetit/Njoftim

Interes i rritur për t’u bashkuar me Policinë e Shtetit, 1156 aplikime për 100 vende në Akademinë e Sigurisë. Spikat numri i madh i vajzave dhe niveli i lartë i mesatares

Bashkimi me Policinë e Shtetit dhe studimet në Akademinë e Sigurisë kanë qenë një nga zgjedhjet e preferuara nga të rinjtë në procesin e aplikimit për studimet “bachelor”. Ndjekja e studimeve në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit të Akademisë së Sigurisë është zgjedhur në portalin UAlbania nga 1156 aplikantë, ndërsa gjatë ditës së sotme ka nisur procesi i regjistrimit të tyre.

Në listën e aplikantëve spikat numri i madh i vajzave (mbi 41 %) dhe niveli i lartë i mesatares së notave gjatë ndjekjes së studimeve në shkollat e mesme të larta:

32 % e aplikantëve në Akademinë e Sigurisë kanë mesatare mbi notën 8 gjatë studimeve në shkollën e mesme të lartë;

72 % e aplikantëve në Akademinë e Sigurisë kanë mesatare mbi notën 7 gjatë studimeve në shkollën e mesme të lartë;

41 % e aplikantëve në Akademinë e Sigurisë janë vajza;

59 % e aplikantëve në Akademinë e Sigurisë janë djem;

Numri i madh i vajzave dhe i nxënësve me mesatare të lartë është dëshmi e besimit të rritur të publikut dhe veçanërisht të rinjve, të cilët preferojnë të nisin karrierën profesionale në radhët e Policisë së Shtetit.

Prej ditës së sotme, pranë Akademisë së Sigurisë ka nisur procesi i regjistrimit dhe më pas të rinjtë e të rejat do t’i nënshtrohen një seleksionimi transparent, bazuar në shanset e barabarta dhe mosdiskriminimin, për të zgjedhur 100 më të mirët, të cilët do të nisin studimet në vitin akademik 2024-2025.