Policia e Shtetit merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Aleancës për Gratë me Uniformë (Women in Uniform Alliance), organizuar nga Ambasada Britanike në Shqipëri

Policia e Shtetit merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Aleancës për Gratë me Uniformë (Women in Uniform Alliance), organizuar nga Ambasada Britanike në Shqipëri.

Kjo konferencë mblodhi së bashku 150 gra dhe vajza, punonjëse të institucioneve Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Drejtoria e Burgjeve, Drejtoria e Doganave, si dhe përfaqësuese të institucioneve të sigurisë nga vendet e rajonit, Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar.

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të konferencës, u diskutua mbi rëndësinë e përfshirjes së punonjëseve femra në këto institucione, sfidat me të cilat ato përballen, mënyrat për të mbështetur zhvillimin profesional të tyre, duke eliminuar të gjitha format e diskriminimit ndaj tyre. Përfaqësueset e disa vendeve sollën shembuj të ndryshëm të femrave që kanë bërë karrierë në institucionet e sigurisë dhe kanë punuar që roli i tyre të fuqizohet sa më shumë.

Nga Policia e Shtetit shqiptar, bëri një prezantim Kryekomisar Marije Ramaj, njëra nga vajzat e brezit të parë të diplomuar në Akademinë e Rendit Publik, në vitin 1996.

Ajo përmendi disa nga sfidat me të cilat është përballur gjatë viteve të punës, për shkak të përkatësisë gjinore. Pavarësisht sfidave, ajo theksoi se me aftësitë dhe profesionalizmin e treguar në punë, punonjëset e Policisë së Shtetit kanë arritur të marrin role drejtuese dhe të kryejnë detyra të rëndësishme në këtë institucion. Prania dhe roli i punonjëseve femra në strukturat e Policisë së Shtetit ka rritur reputacionin e organizatës dhe ka ndikuar në rritjen e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit.

Këtë konferencë e përshëndeti zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Sokol Bizhga, i cili theksoi se Policia e Shtetit mbështet zhvillimin profesional të punonjëseve dhe nxit vajzat që të bëhen pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit.