Policia e Shtetit: Masa shtesë për parandalimin e përhapjes së COVID-19

Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke e konsideruar si domosdoshmëri marrjen e masave shtesë për të mbrojtur çdo qytetar, çdo familje dhe vetë Shqipërinë, nga përshkallëzimi agresiv i sulmit të COVID-19, mbi ne dhe të afërmit tanë, të mos lejohet qarkullimi i mjeteve si më poshtë:

1.Nga dita e premte, datë 13.03.2020, ora 06:00, deri të dielën, datë 15.03.2020, ora 00:00, të mos lejohet të qarkullojnë automjete të transportit ndërurban, automjetet private drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas, nga Tirana dhe Durrësi, në drejtim të zonave të tjera të vendit.

2.Nga dita e premte, datë 13.03.2020, ora 06:00, deri të dielën, datë 15.03.2020, ora 00:00, të mos lejohet qarkullimi i automjeteve private brenda në qytetin e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës.

3. Qarkullimi i automjeteve në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat dhe automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror (personeli shëndetësor dhe social dhe shërbimet mbështetëse në strukturat e kujdesit shëndetësor, publike dhe jopublike, personeli i farmacive publike dhe jopublike, personeli që ofron shërbimet e furnizimit me ushqime, medikamente, shërbimet e kateringut, shërbimet postare, zjarrfikëse, funerale, energjisë, ujësjellës kanalizime, shërbimet private të ruajtjes së sigurisë së objekteve, shërbimet aeroportuale dhe personeli i linjave ajrore), duke dërguar pranë adresës së email: policiarrugore@asp.gov.al, listën e personave të autorizuar dhe duke i paraqitur punonjësve të Policisë një kopje të këtij email-i.

4. Qarkullimi i automjeteve të personave me sëmundje kronike që kanë të planifikuara terapi mjekimi në spitale, duke provuar përmes një dokumenti nevojën për trajtimin e tyre, do të jetë i hapur.

5.Do të lejohen të qarkullojnë automjete të personelit të medias, duke paraqitur dokumentin e tyre të punësimit ose kartën e gazetarit.

6. Për qarkullimin vajtje – ardhje nga aeroporti i Rinasit, drejtuesi i automjetit duhet t’i tregojë punonjësit të policisë, biletat e fluturimit të personave që do të largohen apo foton e biletave të personave që do të mbërrijnë.

7. Marrja në automjetin e punës, e personave të familjes apo personave të tjerë që s’kanë lidhje me detyrën shtetërore është rreptësisht e ndaluar dhe do të ndëshkohet me sanksione të rënda të parashikuara në legjislacionin përkatës.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë këto kufizime me rigorozitet, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke kontribuuar të gjithë për sigurinë e jetës.