Policia e Shtetit/Lirohet një hapësirë në rrugën “Ali Demi” që ishte zënë në mënyrë të paligjshme

Policia e Shtetit

Vijon puna e mirorganizuar policore, në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse, për lirimin e hapësirave publike, të zëna në kundërshtim me ligjin.

Lirohet një hapësirë në rrugën “Ali Demi” që ishte zënë nga familjarët e një 67-vjeçari të arrestuar rreth 1 javë më parë, për këtë paligjshmëri.

Procedohet penalisht djali i 67-vjeçarit.

67-vjeçari dhe familjarët e tij e zinin vazhdimisht hapësirën, me blloqe betoni dhe me automjete, si dhe konfliktoheshin me banorët e zonës që ata të mos parkonin automjetet.

Në kuadër të një procedimi penal, të regjistruar nga Prokuroria e Tiranës, për veprat “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko- Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DPPSh-së, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe me shërbimet e Drejtorisë së Mirëmbajtes së Trotuarëve dhe Zgarave bashkia Tiranë, ekzekutuan urdhrin për lirimin e një hapësire publike në rrugën “Ali Demi”.

Sot, nga hapësira u hoqën blloqet e betonit, ndërkaq, më parë, nga e njëjta hapësirë janë hequr dhe sekuestruar 2 automjete.

Për këtë rast, më datë 07.07.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, kanë vënë në pranga shtetasin B. D., 67 vjeç, ndërsa sot nisi procedimi në gjendje të lirë për djalin e tij, shtetasin E. D., 25 vjeç.

Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente në lidhje me pronësinë mbi këtë hapësirë publike, të cilën me vetëgjyqësi e zinin vazhdimisht, me objekte të ndryshme.

Gjithashtu, ata konfliktoheshin me banorët e një pallati në këtë rrugë, që këta të fundit të mos parkonin automjetet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.