Policia e Shtetit
Vijojnë operacionet e përbashkëta me partnerët, për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Shkëmbimi i informacioneve me homologët italianë, lokalizon dhe çon në pranga një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kapet në Itali dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, një 26-vjeçar, i cili 1 vit më parë, tentoi të vriste me armë zjarri, një shtetas, në Velipojë.
Në vijim të bashkëpunimit me homologët italianë, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e shkëmbyera ndërmjet palëve, u lokalizua në Itali, u kap dhe u arrestua, shtetasi:
K. L., 26 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin e datës 21.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas akuzohet se në fshatin Malikolaj, Velipojë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. P., 27 vjeç, për motive të dobëta.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.