Policia e Shtetit
Finalizohet një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, si rezultat i bashkëpunimit intensiv me partnerët, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kapet në Budapest dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, një shtetas i dënuar me 5 vjet burgim, për vjedhje me dhunë.
Falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij me Policinë hungareze, nëpërmjet Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi në Budapest, me qëllim ekstradimi në Shqipëri, i shtetasit shqiptar:
Auron Hajdini alias Auron Hysaj, 45 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin e datë 21.02.2024, e ka dënuar me 5 vjet burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 2 vjet, 11 muaj e 16 ditë.
Në vitin 2013, 45-vjeçari, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka dhunuar rojën e një pusi nafte dhe i kanë marrë një sasi nafte, një automjet, një armë gjahu, një celular dhe disa dokumente.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet hungareze, vijon punën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 45-vjeçarit, në Shqipëri.