Policia e Shtetit ju uron Gëzuar Vitin e Ri 2023!

Misioni i Policisë së Shtetit, qendra e aspiratave, dëshirave dhe synimeve të mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, është një mision i pakohë që përbën arterien kryesore të funksionimit të shtetit, çdo ditë të çdo viti.

Festa e ndërrimit të viteve është një mundësi e veçantë për punonjësit e Policisë së Shtetit, për të qenë më pranë qytetarëve dhe për të zbatuar ligjin, bashkëshoqëruar me një këshillë, një buzëqeshje dhe një urim të përzemërt.

Edhe sot, njësoj si dje, njësoj si nesër, punonjësit e Policisë janë në çdo skaj të vendit; në portat hyrëse, për t’ju përcjellë mikpritje dhe besueshmëri; në çdo aks rrugor, për të garantuar që ju të udhëtoni të sigurtë e për t’ju orientuar që së bashku, të kontribuojmë për sigurinë rrugore, në çdo shesh dhe pranë ambienteve ku keni shtruar tryezat e festës, si bashkatdhetarë, si miq dhe si familjarë, të cilët sot do të shkëmbejnë të parët me qytetarët, urimet, qëllimet për të ardhmen dhe dëshirat për prosperitet, siguri dhe mirëqenie.

Viti 2022 ka qenë një vit sfidash dhe arritjesh, vit i cili na ka dhënë mundësinë që si njerëz dhe si profesionistë, të ridimensionohemi, të shohim e të bëjmë përpara, si dhe të nxjerrim mesime dhe refleksione që do e bëjnë këtë vit të ri, vit më të mirë dhe më intensiv, në drejtim të bashkëpunimit me qytetarët dhe me partnerët.

Policia e Shtetit ju uron Gëzuar Vitin e Ri 2023! Një vit të mbarë, të shëndetshëm dhe të begatë për të gjitha familjet shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.

Me mbështetjen dhe besimin tuaj, viti i ri që po troket në shtëpinë dhe në jetën e gjithsecilit, do jetë padyshim një vit më i sigurtë.

Së bashku për më të mirën!

Gëzuar!

https://youtu.be/ZD-2Hb1DmoE