Policia e Shtetit
Investim dhe pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë, i dhurohen Policisë së Shtetit, nga Zyra e Operacioneve Ndërkombëtare e Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe.
Donacioni, tregues i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet 2 agjencive dhe besimit të partnerëve britanikë, te puna e Policisë shqiptare.
Në ceremoninë formale të nënshkrimit dhe dorëzimit të donacionit morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, Menaxheri Ndërkombëtar Ndërlidhës nga Zyra e Operacioneve Ndërkombëtare, z. Stephen Law, si dhe drejtues të tjerë të Policisë së Shtetit.
Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Drejtor Proda falënderoi Zyrën e Operacioneve Ndërkombëtare dhe Ministrinë e Brendshme të Britanisë së Madhe, për mbështetjen e vazhdueshme për strukturat e Policisë së Shtetit. Drejtori theksoi se kjo mbështetje është dëshmi e vijimit të bashkëpunimit të suksesshëm me partnerët britanikë, dhe se kontributi është i një rëndësie të veçantë për forcimin e kapaciteteve logjistike për Policinë e Shtetit shqiptar dhe kryesisht të strukturave të cilave iu adresohet.
Ndërkaq, z. Law, gjatë ceremonisë, tha: ”Është kënaqësi të jem këtu, në emër të HOIO. Gjithashtu, është kënaqësi që të realizojmë donacione të tilla për Policinë e Shtetit shqiptar. Bashkëpunimi me ju është i një rëndësie të veçantë për ne. Ndihem krenar që mundëm të mbështetnim Njësinë Speciale për Kufirin dhe Migracionin “Delta”, Vlorë, për rimobilimin e ambienteve, si dhe për pajisjen me teknologji bashkëkohore. Gjithashtu, që mundëm të vëmë në dispozicion të Njësisë së Informacionit për Pasagjerin, ekrane me parametra të lartë.”
Donacioni përfshin përmirësimin e ambienteve të Njësisë Speciale për Kufirin dhe Migracionin “Delta”, Vlorë, si dhe 1 automjet në funksion të punës së kësaj Njësie. Gjithashtu, përfshin 4 dylbi termike multispektrale dhe 7 ekrane me parametra të lartë teknologjike që do t’i vihen në funksion Policisë Kufitare dhe Njësisë së Informacionit për Pasagjerin.









