Policia e Shtetit
Vijojnë bashkëpunimet dhe marrëveshjet me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim maksimizimin e kapaciteteve logjistike dhe teknologjike të Policisë së Shtetit, për përmbushjen e plotë dhe sa më efikase të punës policore gjatë kontaktit me vendngjarjet kriminale.
Implementohet sistemi bashkëkohor EVOFINDER, i cili përbën një element shumë të rëndësishëm për punën e Policisë shkencore, për identifikimin e gjurmimin e armëve të zjarrit, për rritjen e cilësisë së ekzaminimit të provave balistike të gjetura në vendngjarje, për ruajtjen e administrimin e tyre, si dhe për marrjen e përgjigjeve.
Me asistencën e Ministrisë së Brendshme franceze dhe Policisë së Francës është finalizuar sot, implementimi i sistemit EVOFINDER.
Në këtë takim finalizues të këtij projekti ndërkombëtar, mori pjesë Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Shkëlqesia e Saj zj. Elisabeth Barsacq, Zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm falënderoi ambasadoren për ndihmën dhe mbështetjen e qeverisë dhe Policisë franceze dhe e vlerësoi si aset të çmuar sistemin EVOFINDER, për rritjen e cilësisë së punës së Policisë shkencore. Zbardhja e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë dhe dokumentimi i plotë i tyre bazuar në prova shkencore, mbeten prioritete kryesore të punës së Policisë së Shtetit, e cila tashmë i përmbush detyrat e saj funksionale, e asistuar nga pajisjet e fjalës së fundit të teknologjisë.
Ambasadorja, zj. Barsacq ka siguruar Drejtorin e Përgjithshëm se Policia e Shtetit do të ketë përherë mbështetjen e ambasadës, qeverisë dhe Policisë franceze, në të gjitha fushat ku ajo ka nevojë, për të përmirësuar dhe për të rritur kapacitetet e saj në luftë kundër krimit të organizuar, krimeve kibernetike dhe terrorizmit.
Zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari gjithashtu, shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen e tij për realizimin e kësaj marrëveshjeje të nënshkruar midis dy ministrive, marrëveshje e cila u konkretizua me implementimin e sistemit të teknologjisë së avancuar EVOFINDER, çka tregon edhe një herë tjetër, mbështetjen dhe besueshmërinë që Policia e Shtetit merr përditë e më shumë, nga partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare. Kjo besueshmëri përkthehet më pas, në operacione të përbashkëta, për të përmbushur qëllimin madhor, luftën pa kompromis ndaj krimit.
Gjithashtu, në kuadër të implementimit të këtij sistemit, disa punonjës policie u trajnuan nga homologët e tyre francezë, me qëllim përdorimin sa më efikas dhe profesional të sistemit EVOFINDER, si dhe u pajisën me certifikatat përkatëse.