Policia e Shtetit, gjatë muajit shkurt 2023

Policia e Shtetit, gjatë muajit shkurt 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit, gjatë muajit shkurt, kanë qenë të angazhuara maksimalisht, me të gjitha burimet njerëzore dhe ato logjistike, për përmbushjen e misionit, atë të sundimit të ligjit në territorin e vendit.

Informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative dhe bashkëpunimi me qytetarët i kanë shërbyer Policisë së Shtetit, për të parandaluar ngjarje të rënda kriminale dhe për të goditur veprimtari të ndryshme që bien ndesh me ligjet e vendit.

✅Gjatë muajit shkurt 2023, janë finalizuar 94 operacione policore dhe janë vënë në pranga 520 shtetas, 16 prej tyre në kërkim ndërkombëtar.

✅Bashkëpunimi profesional i strukturave të Policisë së Shtetit me partnerët ndërkombëtarë, me koordinimin nga Qendra e Interpolit në Lyon, Francë, solli finalizimin e operacioneve për kapjen e 12 shtetasve në kërkim ndërkombëtar që fshiheshin në vendet e BE-së, në Dubai dhe në Shqipëri.

✅Plani operacional mbarëkombëtar i koduar “Fijet” vijoi me fazën e dymbëdhjetë dhe të trembëdhjetë të tij, si rezultat i të cilave u çmontuan dhe u sekuestruan 40 kamera të tjera të vendosura në kundërshtim me ligjin, në disa qarqe. 15 shtetas u vunë në hetim, për cenim të privatësisë. Që nga nisja e operacionit deri tani, janë çmontuar 548 kamera dhe janë vënë në hetim 116 shtetas.

✅Si rezultat i hetimeve të pandërprera në të gjithë vendin, janë evidentuar dhe goditur 123 raste të krimeve ekonomike dhe financiare.

✅Janë goditur 15 raste të kontrabandës së naftës, ilaçeve, cigareve, kafes, lëndëve piroteknike e mallrave të tjera. Gjatë operacionit “Embargo”, u sekuestrua një anije çisternë me të cilën u tentua të futeshin kontrabandë 22 500 tonë naftë, në Shqipëri, nëpërmjet portit të Durrësit. Gjithashtu, gjatë 2 operaciove dhe rasteve të tjera të goditura, janë sekuestruar medikamente mjekësore, celularë, lëndë pesticide, kafe dhe mallra të tjera të kontrabanduara.

✅Në kuadër të punës hetimore për gjurmimin dhe identifikimin e pasurive që rrjedhin nga aktiviteti kriminal është organizuar nga DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Resort 2012”, i cili është finalizuar me sekuestrimin e pasurive që arrijnë vlerën 3 milionë euro, në emër të një shtetasi të dënuar për trafikim droge. Gjithashtu, Policia e Shtetit ka sekuestruar 2 apartamente dhe 1 automjet, në pronësi të një shtetasi të akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal.

✅Reagimi i menjëhershëm dhe ndërhyrja në kohë e Policisë, parandaloi përshkallëzimin e konflikteve mes shtetasve të ndryshëm, në 8 raste.

✅Falë inteligjencës informative, shërbimet e Policisë parandaluan ngjarje të rënda kriminale në fushën e krimeve kundër personit, në Elbasan dhe në Vlorë. Në Elbasan u sekuestruan 4 armë zjarri, 2 bidona me lëndë djegëse dhe 1 automjet i vjedhur, ndërsa në Vlorë u sekuestruan 3 mina me telekomandë.

✅Si rezultat i veprimeve hetimore të thelluara nga Policia, janë zbardhur 3 ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë, Librazhd dhe Maliq dhe 1 aksident i ndodhur në Durrës. 3 autorë të dyshuar janë vënë në pranga, 1 tjetër është shpallur në kërkim.

✅Goditja e armëmbajtjes pa leje ka qenë prioritet i punës së Policisë, gjatë këtij muaji. 14 operacione dhe 68 raste për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, kanë vënë në sekuestro: 276 kg lëndë plasëse, 33 armë zjarri, 6 armë gjahu, 30 kallëpe me lëndë plasëse, 4 mina të montuara me C4, 8 granata, 2 ndezës granatash, 290 kapsolla detonatore dhe municion luftarak.

✅Parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike ka qenë një tjetër prioritet i punës së strukturave policore, në të gjithë vendin. Gjatë muajit shkurt u zhvilluan 17 operacione dhe u goditën 196 raste, si rezultat i të cilave u sekuestruan rreth 27 kg kanabis, 2.2 kg kokainë, 4 kg heroinë, fara kanabisi dhe shumat 186 700 euro, 400 dollarë dhe rreth 1 milionë e gjysmë lekë të rinj, të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike në doza.

✅Kontrolli i imtësishëm i ambienteve, bazuar dhe në inteligjencën policore, çoi në goditjen e 3 rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë operacionit “Indoors” të zhvilluar në Vlorë dhe operacionit “Vila” të zhvilluar në Fier, janë bllokuar 2 ndërtesa (vila) dhe një ambient në një fshat të Selenicës, të cilat ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.

✅Operacionet e zhvilluara në Fier dhe në Vlorë, çuan në pranga 9 shtetas, nga të cilët 6 punonjës të OSHEE-së, si dhe në sekuestrimin e 715 bimëve narkotike, qindra llambave elektrike, gjeneratorëve dhe aksesorëve të tjerë që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.

✅Kontrolli i pandërprerë i territorit solli rezultat edhe goditjen 49 rasteve të krimeve mjedisore, në zonat e mbrojtura dhe në zona të tjera. Prerja e paligjshme e pyjeve, nxjerrja e pllakave dekorative, në malin e Tomorrit, gërryerja e paligjshme e lumenjve, ndërtimet pa leje dhe shkatërrimi i pronës me zjarr, çuan në pranga 9 shtetas dhe në hetim 45 shtetas të tjerë.

✅14 operacione për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit janë finalizuar me sekuestrimin e 7 makinetave, 6 tavolinave të pokerit, dhjetëra aparateve celulare, sendeve të tjera dhe shumave të parave që janë përfituar nga kjo paligjshmëri.

✅Monitorimi i akseve rrugore, me pajisje logjistike bashkëkohore, ka vijuar çdo ditë të këtij muaji, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Si rezultat janë pezulluar lejet e drejtimit të 2279 shtetasve që kanë kryer shkelje të ndryshme, janë vënë në pranga 406 shtetas që drejtonin automjetin, nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi, dhe 7 të tjerë që e drejtonin atë, nën efektin e lëndëve narkotike.

✅Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas ofrimit të shërbimit sa më cilësor për qytetarët që hyjnë apo dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë, kanë shtuar kontrollet edhe për evidentimin e paligjshmërisë.

Si rezultat, janë goditur: 36 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 8 raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, 13 raste të falsifikimit të dokumenteve, 11 raste të mosdeklarimit të të hollave, 6 raste të kontrabandës së mallrave, 1 rast në fushën e narkotikëve, 2 raste të trafikimit të mjeteve motorike dhe 1 rast i korrupsionit aktiv.

Janë sekuestruar rreth 237 000 euro, 21 790 paund dhe 10 000 franga, të padeklaruara në pikat e kalimit kufitar.

✅Gjatë muajit shkurt, nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të drejtorive vendore në qarqe, janë evidentuar dhe goditur 43 raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollin në të gjithë territorin e vendit, me qëllim evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale, si dhe do të forcojnë akoma më tej bashkëpunimim me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit, për të luftuar krimin e organizuar dhe për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

Bashkëpunimi me qytetarët mbetet arma më e fortë e Policisë së Shtetit, në luftën kundër krimit, ndaj i ftojmë ata që të denoncojnë pranë strukturave të Policisë së Shtetit, çdo rast të veprimtarive kriminale, duke iu siguruar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e profesional.