Policia e Shtetit, gjatë 24 orëve të fundit

Policia e Shtetit

Angazhimi në terren i punonjësve të Policisë, finalizoi një sërë operacionesh dhe goditjesh në të gjitha qarqet e vendit.

Gjatë këtyre 24 orëve, u sekuestruan 1 kallashnikov, 1 armë gjahu, dhjetëra fara kanabisi dhe mbi 30 000 euro, si dhe u vunë në pranga 21 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

✅Nga shërbimet e Policisë së Vlorës dhe Dibrës, në kuadër të operacioneve “Escape” dhe “Macukulli”, u vunë në pranga 2 shtetas të kërkuar për kultivim të bimëve narkotike, në ambiente të mbyllura dhe në terren të hapur, brenda dhe jashtë vendit.

✅Nga Departamenti i Policisë Kufitare, në të gjitha pkk-të e vendit, u goditën 5 raste të paligjshmërive në kufi. Në PKK Morinë, Rinas dhe Port Durrës, përkatësisht, u sekuestruan para të padeklaruara dhe u godit një rast i pajisjes me pasaportë false, për kalim të paligjshëm të kufirit.

✅Në Himarë, si rezultat i operacionit “Spot”, u vu në pranga një 62-vjeçar, pasi mbante në banesë, 1 kallashnikov dhe 1 armë gjahu.

✅Në Durrës, u godit që në fazën fillestare, tentativa për të kultivuar bimë narkotike në zona të ndryshme. U vu në pranga shtetasi D. M. që transportonte me automjet, një sasi farash narkotike kanabis.

✅Si rezultat i kontrolleve në terren, gjatë këtyre 24 orëve, u vunë në hetim 3 administratorë të tjerë subjektesh me aktivitet nxjerrjen dhe përpunimin e gurëve dekorative, pasi dyshohet se i ushtronin këto veprimtari, duke dëmtuar habitatin e zonës së mbrojtur në malin e Tomorrit.

✅3 shtetas u vunë në pranga nga Komisariati i Policisë Nr. 2, Tiranë, për vënie bastesh sportive, përmes celularëve, dhe 1 shtetas u vu në pranga nga Policia e Lushnjës, si autor përsëritës i një sërë vjedhjesh në këtë qytet.

✅Një 26-vjeçar u vu në pranga në Vlorë, pasi iu gjet një sasi kokaine, ndërsa në Peqin u vu në pranga një 50-vjeçar, pasi duke qenë i dehur, goditi 2 infermiere dhe dëmtoi xhamat e spitalit ku kishte shkuar për të marrë asistencë mjekësore.

Puna policore vijon në të gjithë territorin, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e krimeve në çdo formë të shfaqjes së tyre.