Policia e Shtetit/Vijojnë kontrollet e shtuara në terren, bazuar dhe në inteligjencën policore, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, me qëllim sundimin e ligjit.
Bashkëpunim intensiv edhe me homologët, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat, gjatë 24 orëve të fundit, u godit një rast i shpërndarjes së drogave të forta, një rast i armëmbajtjes pa leje, një rast i drejtimit të automjetit nën efektin e drogave, si dhe u kap një person në kërkim ndërkombëtar.
Falë inteligjencës policore u zhvillua operacioni i koduar “Late hours”, për goditjen e armëmbajtjes pa leje. U sekuestrua 1 pistoletë; 1 shtetas u vu në pranga, 1 tjetër u shpall në kërkim.
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Navigli”, u arrestua në Itali, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, një shtetas në kërkim ndërkombëtar për trafik të lëndëve narkotike.
81 doza me heroinë, 13 750 euro dhe 400 dollarë, u sekuestruan nga Policia e Fierit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Weekend”. Dozat e heroinës shpëndaheshin nga 2 shtetas, njëri nga të cilët u vu në pranga, ndërsa tjetri u shpall në kërkim.
Policia Rrugore e Tiranës vuri në pranga një drejtues automjeti, i cili pas testimit me aparatin AquilaScan rezultoi nën efektin e lëndëve narkotike.
Kontrollet dhe operacionet në terren vijojnë.




