Policia e Shtetit
Administrimi i menjëhershëm i inteligjencës informative dhe kontrollet në terren, finalizuan gjatë këtyre 24 orëve, një sërë goditjesh, me impakt të rëndësishëm për sigurinë e qytetarëve.
Në Elbasan, presioni i Policisë ndaj kontigjentëve kriminal, nëpërmjet intensifikimit të kontrolleve gjatë natës dhe informacioneve të siguruara, rezultoi me parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale dhe me sekuestrimin e 3 kallashnikovëve, 1 pistolete, 2 bidonave me benzinë dhe 1 automjeti, që do t’i shërbenin këtij krimi. Po zhvillohen hetime intensive për zbardhjen e këtij rasti.
20 kamera të tjera u çmontuan në qarqet Dibër, Korçë, Tiranë dhe Durrës dhe 8 shtetas u vunë në hetim, gjatë fazës së 13 të operacionit mbarëkombëtar “Fijet”. Në rang kombëtar, 548 kamera janë çmontuar dhe 116 shtetas janë vënë në hetim.
2 apartamente dhe 1 automjet iu sekuestruan një 46-vjeçari, pasi dyshohet se i kishte përfituar nga veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Në Durrës, u godit përshtatja e një lokali për përdorim kokaine, u vu në pranga pronarja e këtij biznesi dhe iu sekuestruan doza të kësaj lënde narkotike.
Në Fier, kontollet në terren rezultuan me sekuestrimin e 2 kamionëve që transportonin 45 tonë interte, pa faturat përkatëse. Në hetim u vu administratori i subjektit, për disa vepra penale.
Një rast i tentativës për korrupsion ndaj punonjësve të Policisë Kufitare, u godit në PKK Kakavijë. Në hetim 31-vjeçari që e kreu këtë paligjshmëri, pasi kishte tejkaluar afatin e qëndrimit në zonën Schengen.
Një tjetër rast i vënies së basteve përmes celularëve, u godit në Tiranë. Gjithashtu, u vu në pranga një 38-vjeçar dhe iu sekuestrua pajisja që përdorte për këtë veprimtari.
Në Mat u parandalua një ngjarje e mundshme kriminale. U shpallën në kërkim 4 shtetas nga Tirana dhe u proceduan në gjendje të lirë tre shtetas të tjerë po nga Tirana, që kishin lidhje shoqërore mes tyre. Policia sekuestroi tre maska, automjetin me të cilin qarkullonin personat që u shpallën në kërkim, municion luftarak, lëndë narkotike, e grirëse të lëndës narkotike.
Vijojnë aksionet policore dhe hetimet intensive, me qëllim parandalimin dhe goditjen e fenomeneve kriminale, si dhe për zbardhjen e atyre të ndodhura më parë.