Policia e Shtetit – Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 37”

Policia e Shtetit

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 37”.

I kërkuar në Itali për “Grup Kriminal”, “Trafikim narkotikësh” dhe “Falsifikim dokumentash” kapet në Tiranë, 45-vjeçari nga Tirana.

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën policore dhe bashkëpunimit të FAST ALBANIA me Rrjetin Evropian (ENFAST), ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Operacionalja 37”.

Në kuadër të operacionit, në qytetin e Tiranës, nga ana e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale u bë lokalizimi, identifikimi dhe arrestimi me qëllim ekstradimi i shtetasit G. B, alias E. P, 45 vjeç, banues në Tiranë .

Gjykata e Apelit Napoli/Itali, ka lëshuar Urdhër-Arrestin ndaj këtij shtetasi për veprat penale “Grup kriminal”, “Trafikim lëndësh narkotike” dhe “Falsifikim Dokumentash”, parashikuar nga legjislacioni penal Italian.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 45-vjeçarit në Itali.