Policia e Shtetit
Finalizohet një tjetër operacion nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
“Operacionalja 19”, çon në pranga një 45-vjeçare e akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore për vendndodhjen e një shtetaseje të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 19”, kapi në qytetin e Durrësit dhe vuri në pranga me qëllim ekstradimi shtetases E.Sh, alias E.Sh, 45 vjeçe, lindur dhe banuese në Durrës.
Gjykata e Bolonjës i ka caktuar kësaj shtetaseje, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali.