Policia e Shtetit – Finalizohet operacioni policor i koduar “Green mail 3”

Policia e Shtetit/U kapën në flagrancë sapo tërhoqën nga Dega Postare Durrës, pakon me kanabis ne formë çokollate, të ardhur nga Belgjika, vihen në pranga 2 shtetas.

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet postës. Gjatë 3 muajve të fundit, 6 shtetas të vënë në pranga, për pako me sasi të ndryshme kanabisi, të trafikuara nëpërmjet postës, nga Mbretëria e Bashkuar dhe Belgjika.

Finalizohet nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e sigurisë së Postës Shqiptare dhe DVP Durrës, në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Green mail 3”.

Sekuestrohet pakoja me lëndë narkotike, e ardhur nga Belgjika në vendin tonë, nëpërmjet Degës Postare Durrës.

Në vijim punës intensive policore dhe hetimore, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të hetimit proaktiv të zhvilluar nga Prokuroria e Tiranës, strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë së Postës Shqiptare dhe DVP Durrës, bënë të mundur organizimin dhe finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Green mail 3”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-E. H., 22 vjeç dhe E. H., 28 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi u kapën nga shërbimet e DVP Durrës, menjëherë sapo kanë terhequr nga Dega Postare Durrës, pakon me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, në formë çokollate, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet tip “Hyundai” dhe 2 aparate celulare.

Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë trafikuar nëpërmjet postës, pakon me kanabis, nga Belgjika në drejtim të Shqipërisë. Vijon puna nga Njësia per Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në të.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ky është operacioni i tretë policor i finalizuar brenda 3 muajve të fundit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga shtete të ndryshme. “Green mail” u finalizua më 30 qershor 2022 dhe rezultoi me sekuestrimin e rreth 1.3 kilogramëve kanabis, të sjella nga Mbretëria e Bashkuar dhe vënien në pranga të 2 shtetasve, ndërsa “Green mail 2”, u finalizua më 18 gusht të po këtij viti dhe si rezultat i tij u sekuestruan 2 pako me kanabis, të sjella gjithashtu nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe u vunë në pranga 2 shtetas të tjerë.

#angazhimpërkushtimsakrificë👮🏻👮️
#tëvendosurkundërkrimit✅
#24/7nëçdoskajtëvendit
#nëshërbimtëqytetarëve👮🏻👮️🇦🇱