Policia e Shtetit/Angazhim maksimal i efektivëve të Policisë, në çdo qark të vendit, në kuadër të megaoperacionit “FOKUSI”, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të cannabis sativës.
Gjatë 72 orëve të fundit, kontrolle në fshatra dhe në terrene malore të Lezhës, Shkodrës, Krujës dhe Tropojës.
1000 punonjës policie dhe 25 dronë u angazhuan për finalizimin e kësaj faze të megaoperacionit “FOKUSI”.
3543 bimë të tjera narkotike cannabis sativa u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Ndalohet një autor i dyshuar për disa raste kultivimi në Kurbin dhe procedohet penalisht për shpërdorim të detyrës, kryetari i një fshati në Kukës.
878 bimë u asgjësuan në territorin e bashkive Lezhë, Mirditë dhe Kurbin, si rezultat i fazës së 34-t të operacionit “Imazhi”.
-Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe procedurale, Policia identifikoi dhe vuri në pranga autorin e dyshuar të kultivimit të 219 bimëve të asgjësuara në kuadër të fazave të mëparshme të operacionit “Imazhi”, shtetasin B. A., banues në Milot. Shtetasi B. A. i kishte kultivuar bimët narkotike, në sipërfaqe të ndryshme, në fshatin Malbardhë, Kurbin.
1932 bimë u asgjësuan në territorin e bashkive Shkodër dhe Vau i Dejës, si rezultat i fazës së 14 të operacionit “Alpe të pastra”.
688 bimë u asgjësuan në malësinë e Krujës, si rezultat i fazës së 36 të operacionit “Territor i pastër”.
45 bimë u asgjësuan në fshatin Breg Lumë, Tropojë, si rezultat i fazës së 8 të operacionit “Bjeshkët e Nemuna”. Kryetari i këtij fshati u procedua penalisht, për shpërdorim të detyrës.
Ndërkaq, Policia në qarqe, në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijon hetimet me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.
Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet në të gjithë vendin, duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët dhe me agjencitë ligjzbatuese, për të marrë informacion në lidhje me tentativat për kultivim të bimëve narkotike, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo rasti të kësaj veprimtarie kriminale.
Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI” po vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri, me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për përmbushjen e objektivit të megaoperacionit “FOKUSI”, si dhe për denoncimin e çdo paligjshmërie tjetër, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë.