Policia e Shtetit – Finalizohet operacioni policor i koduar “Alert”

Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë.
Theu masën e sigurisë, “Arrest në shtëpi”, dhe qarkullonte i armatosur me armë zjarri, kapet në Fushë Krujë, 41-vjeçari.
Strukturat e Policisë së Shtetit, krahas angazhimit maksimal për zbatimin e masave të marra për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes, krijimin e lehtësirave në pikat e kalimit dhe eskortimin drejt Tiranës të tifozëve, përfaqësuesve të UEFA-s dhe të të gjithë shtetasve të huaj që vijnë në Tiranë për të mbështetur ekipet e tyre, në Finalen e UEFA Conference League, midis ekipeve të Romës dhe Feyenoordit, strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë operacionet për kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri dhe që tentojnë të kultivojnë apo trafikojnë lëndë narkotike.
Në këtë kuadër, mesditën e sotme, nga Sektori i Policisë Rrugore dhe Forca e Posaçme Operacionale në DVP Durrës në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, falë informacioneve të marra në rrugë operative, se një shtetas kishte thyer masën e sigurisë dhe qarkullonte i armatosur, në afërsi të Urës së Gjolës, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Alert”, në kuadër të të cilit shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin:
-R. H., 41 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Gjatë kontrollit fizik të tij, punonjësit e Policisë i gjetën, në çantë, një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Për këtë shtetas Gjykata e Shkallës së Parë Durrës kishte caktuar masën e sigurimit “Arrest në shtëpi ”, për veprën penale të “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, dhe “Dhënia ndihmë për ndërtim të paligjshëm”.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë bënë arrestimin e shtetasit R. H., për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe municionit”.
Gjatë ditës së sotme ka vijuar puna intensive nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit dhe si rezultat janë kapur 3 shtetas në kërkim, si dhe është goditur 1 rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe i mbajtjes pa leje të lëndëve eksplozive.