Policia e Shtetit
Operacione policore ndërkombëtare të njëpasnjëshme, si rezultat i inteligjencës policore dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Abu Dhabi”.
Operacioni, nga Policia e Shtetit, SPAK-u dhe Interpol Abu Dhabi, në koordinim nga Qendra e Interpolit në Lyon, Francë.
Kapet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, 39-vjeçari i shumëkërkuar, pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal.
Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve përmes inteligjencës informative, me qëllim lokalizimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të informacioneve me partnerët, për kapjen dhe arrestimin e këtyre personave, me qëllim ekstradimin, Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi/Emiratet e Bashkuara Arabe, në koordinim nga Qendra e Interpolit në Lyon, Francë, kanë shkëmbyer informacione për një shtetas shumë të kërkuar nga SPAK-u, i cili ndodhej në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Mbi bazën e informacioneve të marra nga Policia e Shtetit, homologët e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Abu Dhabi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit:
A.(D.) Sh., 39 vjeç.
GJKKO i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana cilesuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar krininal”.
Në vitin 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi A. N., me detyrë prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, i cili qarkullonte me automjet, së bashku me 2 shtetas të tjerë. Si pasojë e të shtënave është plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë në spital shtetasi A. M. (shoferi i prokurorit) dhe ka mbetur i plagosur prokurori, shtetasi A. N.
Policia e Shtetit është shumë e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me të gjithë partnerët, për të bërë të mundur kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, kudo ku ata tentojnë të largohen për t’iu fshehur drejtësisë.