Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni ndërkombëtar i koduar “PANDORA 2”

Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni ndërkombëtar, multistrukturor, i koduar “PANDORA 2”, si rezultat i hetimeve paralele në Shqipëri dhe në Gjermani.

Kjo fazë shënon përmbylljen e këtij operacioni me rëndësi ndërkombëtare, kundër mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet call center-ave.

Operacioni “PANDORA 2”, nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik, në drejtimin e SPAK-ut, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me BKH-në, si dhe në koordinim me specialistë të Zyrës Kriminale të Landit Baden-Württemberg, Gjermani.

Goditet një grup kriminal, i cili gjatë vitit 2024, mashtroi në platforma online, shtetas gjermanë, me dëm ekonomik mbi 360 000 euro.

Ekzekutohen 6 masa sigurie për pjesëtarët e grupit.
Shpallen në kërkim ndërkombëtar 2 pjesëtarë.

Gjatë operacionit “PANDORA 2”:
-u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit E. S., 25 vjeç, T. D., 29 vjeç, R. G., 26 vjeç dhe K. N., 24 vjeç;
-u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit M. Ll., 21 vjeç dhe L. Ç., 36 vjeçe.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, janë lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për 2 pjesëtarë të tjerë të grupit. Autoritetet ligjzbatuese shqiptare vijojnë punën për kapjen e tyre, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese partnere.

Nga hetimet dyshohet se 8 shtetasit, gjatë vitit 2024, duke kryer mashtrime të sofistikuara dhe të mirorganizuara (mashtrime bankare, mashtrime me karta, mashtrime në investime etj) nëpërmjet thirrjeve nga call center-a, kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash nga shtetas gjermanë.

Operacioni dyfazësh “PANDORA”, shembull i qartë i bashkëpunimit të suksesshëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për goditjen e krimeve kibernetike, të cilat cenojnë sigurinë financiare të qytetarëve dhe besimin te komunikimi digjital.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të gjithë shtetasit e implikuar në të.