Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni i koduar “Operacionalja 84”

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Operacionalja”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Vihet në pranga një tjetër i kërkuar ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Operacionalja 84”.

Në kuadër të operacionit, në qytetin e Shkodrës, nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Shkodër, u bë i mundur lokalizimi, identifikimi dhe arrestimi i shtetasit I. D., 35 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, për ekzekutimin e urdhrit për zbatimin e masës së sigurisë personale “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Milanos, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë.