Policia e Shtetit/Finalizohen edhe dy faza të tjera të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”

Policia e Shtetit

Vijon intensivisht bashkëpunimi me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohen edhe dy faza të tjera të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.

Në vijim të punës intensive për gjurmimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe falë shkëmbimit në kohë reale të informacioneve me partnerët, u bë e mundur finalizimi i dy fazave të tjera të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Si rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij me homologët e Republikës Domenikane, nëpërmjet Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi në Punta Cana/Republika Domenikane i shtetasit shqiptar S. P., alias V. P., 41 vjeç, lindur në Lushnjë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu, po falë informacionit të siguruar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe i shkëmbimit të informacionit me Policinë kolumbiane, nëpërmjet Interpol Tiranës, si dhe koordinimit të veprimeve me zyrat kombëtare të Interpolit në Ekuador dhe Kolumbi, u bë i mundur arrestimi në Kolumbi i shtetasit kolumbian S. R., i dyshuar si pjesë e grupit që transportonte dhe përpunonte kokainë në banesën e ish-kreut të komunës në Frakull të Fierit, V. Ç..

Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Shqipërisë.