Policia e Shtetit
Ekstradohet nga Italia, një shtetas shqiptar i akuzuar për përndjekje.
Operacioni “Para drejtësisë”, 33-vjeçari, duke u prezantuar si një shtetas tjetër, kanosi një shtetase, në vitin 2019, që t’i dërgonte video intime.
Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali, me qëllim finalizimin e procedurave për ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, u ekstradua në Shqipëri, shtetasi shqiptar i arrestuar në Itali, E. H., 33 vjeç.
Drejtoria e Interpol Tiranës e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar këtë shtetas, sepse më datë 19.07.2023, i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Përndjekja”. Nga hetimet dyshohet se në vitin 2019, ky shtetas, duke u prezantuar si shtetasi E. Sh., ka kanosur një shtetase, për t’i dërguar video intime.