Policia e Shtetit
Bashkëpunimi i rradhës me partnerët në Gjermani dhe në Mbretëri të Bashkuar, realizon ekstradimin e 2 shtetasve të dënuar/akuzuar për rrëmbim, dhunë dhe shkatërrim prone.
Ky bashkëpunim i cili është konkretizuar ndërmjet zyrave të Interpolit në Tiranë, Wiesbaden dhe Manchester, ka mundësuar ekstradimin në Shqipëri:
-nga Gjermania, të shtetasit Abedin Bacja, 34 vjeç, lindur në Fier. Ai është dënuar me 5 vjet burgim, nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Në vitin 2013, 34-vjeçari dhe 2 shtetas të tjerë, kanë marrë me forcë, në automjet, shtetasin A. Xh.. Më pas kanë telefonuar babanë e tij, të cilin e kanë kanosur për jetën e shtetasit A. Xh., nëse nuk iu jepte shumën 7500 euro;
-nga Mbretëria e Bashkuar, të shtetasit R. M., 43 vjeç, lindur në Mat. Gjykata e Matit, në vitin 2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Më 10 shtator të vitit 2021, shtetasi R. M. ka goditur në kokë dhe në trup, me send të fortë (levë hekuri), kunatin e tij, dhe i ka dëmtuar automjetin.
Policia e Shtetit do të vijojë intensivisht, punën dhe operacionet e përbashkëta, me partnerët në të gjithë botën, për të lokalizuar, kapur dhe finalizuar ekstradimet e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.