Policia e Shtetit/Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohen penalisht 7 të tjerë, për vjedhje të energjisë elektrike

Vijon puna nga strukturat e Policisë së Shtetit, për parandalimin e vjedhjes së energjisë elektrike.

Si rezultat i kontrolleve të përbashkëta me OSHEE-në janë evidentuar 9 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, në Tiranë dhe në Lezhë, si dhe procedohen 7 të tjerë në Shkodër.

Gjithashtu, procedohet dhe një faturist i OSHEE-së, për shpërdorim detyre.

Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin, kanë vijuar kontrollet në bashkëpunim me OSHEE-në, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të vjedhjes së energjisë elektrike.

Si rezultat, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. K., banues në Bathore, pasi kishte ndërhyrë në matësin elektrik të marketit të tij, me qëllim për të vjedhur energjinë elektrike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Ll. Sh., banues në Tale, Lezhë, pasi u konstatua se kishte bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesën e tij.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër janë proceduar penalisht shtetasit: G. A., E. B., L. H., Gj. Sh., L. H., S. P. dhe M. P., pasi gjatë kontrollit është konstatuar se kishin bërë ndërhyrje në matësin elektrik në banesat e tyre.

Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin u procedua penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Xh. N., banues në Milot, Kurbin, më detyrë elektricist/faturist pranë OSHEE-së, pasi nuk ka kryer kontrolle periodike për lidhjet e energjisë elektrike, në zonën që mbulon.

Strukturat e Policisë do të vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë në cilëndo fushë që ajo shfaqet.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë.