Poliçan/Skrapar
Vijon me intensitet megaoperacioni “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Goditet një rast i kultivimit dhe prodhimit të kanabisit, në fshatin Plashnik.
Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 5 shtetas, bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.
Sekuestrohen 116 bimë kanabisi, një pjesë e tyre në proces tharjeje.
Në vijim të megaoperacionit kombëtar të koduar “Territor i pastër”, shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Skrapar, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Plashnik, njësia administrative Tërpan, kanë goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike. Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Ë. M., 54 vjeç, G. M., 61 vjeç, (vëllezër), F. M., 21 vjeç, (i biri i shtetasit Ë. M)., V. B., 44 vjeç dhe D. B., 39 vjeç, (vëllezër), të gjithë banues në fshatin Plashnik, pasi dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike, në fshatin ku banonin. Gjatë kontrollit të territorit janë gjetur 37 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në një kasolle afër banesës së shtetasit Gj. M., u gjetën 79 bimë të dyshuara narkotike kanabis në proces tharjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim.