Pogradec – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri”

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt shpërblimit.

Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin me të cilin po transportonte 10 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 33-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. H., 33 vjeç, banues në Peqin.

Shërbimet e Policisë e kanë konstatuar këtë shtetas, në dalje të qytetit të Pogradecit, në afërsi të vendit të quajtur “Lumi i Tërhanit”, duke drejtuar mjetin tip “Hyundai”, me të kishin dyshime se po transportonte emigrantë të paligjshëm.

Pas shenjës për ndalim nga punonjësit e Policisë, drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij në fshatin Hudënisht, Pogradec. Nga kontrolli i ushtruar në mjet u gjetën 10 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shtetasi I. H. u kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt shpërblimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.