Pogradec
Reagimi i menjëhershëm i Policisë bëri të mundur gjetjen e një fëmije që ishte larguar nga prindërit, në qytetin e Pogradecit.
Punonjësit e Policisë në Pogradec i dorëzojnë familjes, në gjendje të mirë shëndetësore, vajzën 4-vjeçare nga Pogradeci.
Salla Operative e Komisariatit Pogradec u njoftua nga një qytetar, se vajza e tij ishte larguar prej tyre në shëtitoren e qytetit dhe nuk po e gjente dot.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë që patrullojnë me biçikleta në zonën e plazhit në Pogradec u angazhuan për gjetjen e vajzës.
Pas rreth një ore kërkimesh intensive në terren, punonjësit e Policisë e lokalizuan të miturën pranë një lokali. Vajza ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore dhe iu rikthye menjëherë prindërve të saj.
Prindërit e fëmijës kanë falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e shpejtë dhe profesional që kontribuoi në gjetjen e vajzës së tyre.