Pogradec – Prenë pyjet në mënyrë të paligjshme, procedohen penalisht 3 shtetas. Procedohet penalisht edhe inspektori pyjor pranë bashkisë Pogradec, për shpërdorim detyre

Vijon zbatimi i planit të masave për goditjen e paligjshmërisë në fushën e mbrojtjes së territorit si dhe për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Prenë pyjet në mënyrë të paligjshme, procedohen penalisht 3 shtetas.

Procedohet penalisht edhe inspektori pyjor pranë bashkisë Pogradec, për shpërdorim detyre.

Sekuestrohet 85 metër sterë dru zjarri, pa dokumentacion.

Në zbatim të planit të masave për goditjen e paligjshmërisë në fushën e mbrojtjes së territorit dhe krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bazë të informacioneve të grumbulluara, gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Bishnicë, Pogradec, në banesat e shtetasve L. L., 51 vjeç, D. L., 56 vjeç dhe Sh. L., 58 vjeç, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 85 metër sterë dru zjarri, pa dokumentacionin përkatës, të cilën këta shtetas kishin qëllim që ta shisnin.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve proceduan penalisht tre shtetasit e mësipërm, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, si dhe shtetasin F. M., 53 vjeç, me detyrë inspektor pyjor pranë Bashkisë Pogradec, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk ka informuar për këtë veprimtari të paligjshme që është kryer në zonën pyjore që ky shtetas ka nën kontroll dhe monitorim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.