Pogradec – Ndëshkohet drejtuesi i një mjeti lundrues që kreu manovra të rrezikshme në liqen

Shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, menjëherë sapo kanë marrë informacion se një mjet lundrues “Jet Ski” po kryente manovra të rrezikshme në liqenin e Pogradecit dhe po rrezikonte pushuesit, video e të cilit më pas u shfaq edhe në rrjetet sociale, kanë ndërhyrë duke verifikuar dhe bllokuar mjetin lundrues.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë Kufitare kanë ndëshkuar pronarin e mjetit lundrues, shtetasin A. B. (i ati i dy të miturve që drejtonin “Jet Ski”-në), me masën administrative 100 000 lekë, për shkelje të ligjit nr. 43/2025 “Për mjetet lundruese”, dhe 10 000 lekë, për shkelje të ligjit nr. 127/2020 “Për aktivitetin e turizmit detar”.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për pushuesit, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.

Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.