Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Arrestohet në flagrancë një 30-vjeçar.
Sekuestrohet drogë, armë e ftohtë, municion luftarak, radio policie dhe sende të tjera si të policisë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas posedonte lëndë narkotike dhe armë të ftohta, organizuan veprimet dhe bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e tij, në lagjen nr. 1 në Pogradec.
Gjatë kontrollit trupor të ushtruar shtetasit M. Y., 30 vjeç, banues në Pogradec, iu gjetën 4 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, si edhe më tej gjatë kontrollit të banesës së tij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 thikë, 2 copë fishekë armë zjarri tip pistoletë, një radio marrëse-dhënëse, një shkop gome, një detektor që shërben për kontroll fizik personash dhe 1 palë pranga.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.