Pogradec – Finalizohet operacioni “Topleci”, 2 persona në pranga

Finalizohet operacioni “Topleci”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Sekuestrohet 1 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin e koduar “Topleci”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
• F. SH., 26 vjeç, banues në Pogradec (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”).
• S. B., 39 vjeç, banues në Pogradec.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike në qytet, bënë lokalizimin dhe ndalimin e tyre në lagjen nr. 4. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit F. Sh. iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, ndërsa nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit S. B. u gjet dhe u sekuestrua 1 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.